Egnatia ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt titullit kampion, pasi mposhti Vllaznia me rezultatin 1-2 në sfidën e javës së dytë të “Final 4”, të zhvilluar në stadiumin Air Albania Stadium.

Kampionët në fuqi të drejtuar nga Nevil Dede treguan edhe një herë forcën dhe qetësinë në momentet vendimtare, duke marrë një fitore me aromë titulli që tashmë i afron shumë me kurorën e tretë radhazi.

Të tre golat e ndeshjes erdhën pas goditjeve me kokë. Ishte Sota ai që kaloi Egnatian në avantazh në pjesën e parë, ndërsa skuadra e Edi Martini reagoi në minutën e 77-të me golin e Qatos, duke rikthyer shpresat për kuqeblutë.

Kur dukej se Vllaznia po siguronte një pikë të rëndësishme, erdhi goditja finale. Në minutën e 88-të, Adjesa ndëshkoi shkodranët dhe vulosi triumfin e Egnatias. Edhe pse kapiteni Aleksi u ndëshkua me karton të kuq në fund, kjo nuk ndikoi në fatin e takimit.

Pas kësaj humbjeje, Vllaznia mbetet me shumë pak shanse për titullin kampion, duke pasur nevojë për një mrekulli në javën e fundit. Ndërkohë, Egnatia tashmë e ka vetë në dorë fatin e saj, pasi përballet me Dinamon, skuadër që matematikisht është jashtë garës për titull.