Violina triumfoi në edicionin jubilar të konkursit ndërkombëtar për talentet e reja në muzikën klasike “Pjetër Gaci”. Elena Lamnica u shpall fituese e çmimit të parë, duke u vlerësuar për interpretimin dhe nivelin artistik të paraqitur gjatë netëve të konkursit në Teatrin “Migjeni”.
Çmimi i dytë iu akordua violinistit Darel Bulçari, ndërsa çmimi i tretë shkoi për pianistin Ermes Balili. Konkurrimi solli interpretime të nivelit të lartë nga artistë të rinj që për katër ditë performuan në specialitete të ndryshme të muzikës klasike.
Drejtori artistik Lorenc Radovani theksoi nevojën për më shumë mbështetje ndaj fituesve dhe talenteve të reja, në mënyrë që rruga e tyre artistike të vijojë me mundësi më të mëdha zhvillimi.
Ndërkohë, drejtori organizativ Dritan Mlika dhe konsulenti artistik Bardhyl Hysa u shprehën se tradita dhe serioziteti i konkursit po e forcojnë nga viti në vit këtë kompeticion, që tashmë konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës klasike për të rinjtë.
Urime për jetëgjatësi konkursit dhe talenteve pjesëmarrëse përcolli edhe Tamara Gaci, bashkëshortja e kompozitorit të njohur Pjetër Gaci.
Në edicionin e XXV të konkursit morën pjesë rreth 120 konkurrentë të moshave 7 deri në 23 vjeç nga vende të ndryshme, të cilët konkurruan në kategori si piano, harqe, kanto, fizarmonikë, kitarë dhe instrumente të tjera klasike.
