Një nga lagjet më të vjetra dhe më të rëndësishme të Shkodrës së dikurshme ishte “Tabakë”, një emër që sot ruhet më shumë në kujtesën historike sesa në hartën urbane të qytetit. Në librin “Shkodra dhe motet”, studiuesi i njohur Hamdi Bushati sjell një përshkrim të detajuar të kësaj lagjeje, e cila për shekuj me radhë përbënte një nga qendrat më të gjalla ekonomike dhe shoqërore pranë Kalasë së Rozafës.
Sipas Bushatit, lagjja Tabakë ndodhej në të djathtë të lumit Drinaz (Drini), në zonën mes Urës së Bahçallekut dhe Kalasë Rozafa. Ajo lidhej me lagjen Ajasëm dhe përfshinte një territor të gjerë që në periudhën osmane shtrihej deri në fshatin Kuç.
Vetë emri “Tabakë” lidhet me profesionin e tabakëve, mjeshtrave që merreshin me përpunimin e lëkurëve. Fjala vjen nga turqishtja “tabakhane”, vend ku përgatitej lënda e parë e lëkurës për tregti dhe industri. Kjo tregon se zona kishte një rol të rëndësishëm ekonomik, ku zhvillohej zejtaría dhe tregtia e kohës.
Hamdi Bushati përmend se lagjja ishte ndër më të populluarat e Shkodrës. Në vitin 1768 numëroheshin rreth 300 shtëpi, ndërsa aty banonin familje të njohura që gëzonin ndikim dhe pozitë të rëndësishme në qytet. Përveç banesave dhe punishteve, në Tabakë ndodheshin edhe tri xhami, çka dëshmon dendësinë dhe rëndësinë e saj urbane.
Në kujtimet e banorëve të vjetër përmendet se dikur përgjatë Drinazit shtrihej një varg i gjatë ndërtesash dhe dyqanesh që nisnin nga Ura e Bahçallekut deri pranë xhamive të zonës. Gjurmët e mureve të vjetra kanë qenë të dukshme për shumë vite dhe konsideroheshin dëshmi të një periudhe të lulëzuar të qytetit.
Por historia e Tabakëve ndryshoi me kalimin e kohës. Devijimi i Drinit në vitin 1846, përmbytjet e vazhdueshme dhe krijimi i zonave kënetore sollën largimin gradual të banorëve. Goditjen përfundimtare lagjja e mori nga tërmeti i vitit 1905, kur shumë prej shtëpive u shembën ose u dëmtuan rëndë nga rrëshqitjet pranë Kalasë Rozafa.
Sot, lagjja Tabakë nuk ekziston më si dikur, por historia e saj mbetet një pjesë e rëndësishme e memories urbane të Shkodrës. Në faqet e Hamdi Bushatit ajo shfaqet si një dëshmi e gjallë e qytetit tregtar, zejtar dhe kulturor që Shkodra përfaqësonte ndër shekuj.
Fragment nga libri “Shkodra dhe Motet” i Hamdi Bushatit
“Lagjja Tabakë”
Kjo lagje nuk ekziston ma si e tillë, ajo tani hyn në periferinë e lagjes “Qafë”. Tabaku ze vendin e parë në radhën e lagjeve të vjetra të Shkodrës. Sot si pjesë e lagjes Qafë ban pjesë në bllokun e lagjes “29 Nëndor”, me emnin lagjja “7 Nëndor”.
Porsa të kalohet Ura e Bahçallekut, tue hy në qytet, duhet të merret krahu i djathtë për me shkue në Tabakë. Kjo lagje asht e vendosun në fund të kështjellit Rozafat e në breg të djathtë të lumit Drinaz. Lagjja ka vetëm një rrugë që lidhet me lagjen “Ajasëm”, e cila quhet rruga “Lenin”, turqit e paten quejtë “Dibagehane xhaddesi” ndërsa në “Plan von Scutari” quhej “Rue St. George”.
Emni i kësaj lagjeje para pushtimit turk nuk dihet; në periudhën venedikase lagjet pagëzoheshin me emna shenjtënsh ose kishash, fjala vjen: Lagjja “San Xhakomo”, ose emna lagjesh të ngeluna nga pushtimi serb, psh lagjja “Ajasëm” apo lagjja e Kishës së “Sfeti Vraci”.
Me ardhjen e turqve, lagjet për rreth kalasë morën emnat e personave bamirës, të pozicionit gjeografik apo të profesionit që ushtrohej ma tepër nga banorët e asaj lagjeje apo rruge (sokak); psh, emni “tabakë” rrjedh nga fjala turke “regjie lëkurësh”, ndërsa tabakhane ishte vendi i punishteve, ku përgatitej materiali i parë për eksportimin ose për industrializimin e tij të nevojshëm për veshmbathje.
Para se të fillonin punishtet për përpunimin e regjjen e lëkurëve, lagjja nuk quhej Tabakë (fjalë që rrjedh nga turqishtja “dibagehane”, shndrrue nga populli në Tabakhane dhe pastaj shkurtue në Tabakë-H.B.). Në bazë të të dhanave të vjetra kjo lagje pjesërisht nga hymja prej lagjes “Alibegaj” quhej “Bexhene”. Pjesa tjetër hynte në periferitë e lagjes “Qafë”. “Bexhenije” zgjatej deri te Xhamia e Lohjanëve në breg të Drinit.
Tue fillue nga balli i Urës së Bahçallekut, përbuzë Drinazit, nga kështjella Rozafat edhe sot duken mure të trasha që tregojnë vargun e ndërtesave që dikur gjindeshin në atë vend. Një i moçëm na ka lanë fjalët se ai ia kishte arritë rrethit të dyqaneve prej Urës së Bahçallekut deri te xhamia e masipërme. Këto të dhana i përgjigjen epokës së para 150 vjetëve.
Po të gjurmojmë përpara kësaj periudhe, koleksioni Farlati-Coleti, botue në revistën Leka tue folë rreth kishave të vjetra të Shkodrës, shkruen: “N’atë lagje (Tabakë-H.B.) ishte Kuvendi i Zojës Rruzore të Domenikanëve”, megjithëse e ve në pikëpyetje. Sidoqoftë, relacionet e misionarëve të shekujve XVII-XVIII, ashtu dhe të dhanat e pleqve rreth popullimit të lagjes në fjalë, si në epokën venedikase ashtu dhe në atë turke, deri në gjysmën e shekullit XIX, përputhen njena me tjetrën.
Lagjja “Tabakë” para një shekulli ishte shumë e ngjeshun dhe zgjatej deri në fshatin Kuç. Në vitin 1768-të, Lagjja e Tabakëve ishte e përbame prej 300 shtëpishë. Katundi Kuç gjatë gjithë sundimit turk mbahej me vulen e lagjes “Tabakë”.
Kjo lagje kishte vetëm dy rrugë kryesore: njena e lidhte me Urën e Bahçallekut, tjetra, e cila nuk gjindet ma, ishte rruga tregtare që, mbas Xhamisë së Plumbit, kalonte nëpër urën e Kirit tue ndjekë drejtimin nga Vau i Dejës, Puka, Prizreni etj…
Lagjja “Tabakë”, në periudhën e Bushatlinjve, qe ndër lagjet ma të përmenduna dhe ma të parat të Shkodrës. Në këtë lagje kanë qenë grumbullue familje të njohuna e që gëzonin rangje të nalta të asaj kohe. Dendësinë e lagjes, përveç sa e sa ndërtesave, e dëshmojnë edhe të tri xhamitë, për të cilat do të flasim ma poshtë.
Që në vitin 1846 filloi devijimi i Drinit nga shtrati i vjetër, tue formue Drinazin e sotëm, së bashku me lumin e Kirit. Përmbytjet e herëpashershme të mavonshme prej lumenjve të thanun të Fushës së Tabakut, u dhanë shkak shpërnguljeve të popullsisë së asaj lagjeje, veçanërisht kur ujnat e ndejun filluen të formojnë fole mushkonjash.
Shkatërrimi i plotë i kësaj lagjeje ndodhi nga tërmeti i vitit 1905, kur shumë shtëpi u rrenuen, sepse ishin të vjetra ose u rrenuen nga shkrepat që ranë nga kështjella Rozafat. Kështu kjo lagje historike mbeti ndër gërmadha e që sot janë dëshmi e një të kaluemje të ndritun.
