Një ditë para sfidës së rëndësishme ndaj Egnatias në fazën “Final 4”, kampi kuqeblu ka dalë në konferencë për media pas disa javësh mungesë komunikimi publik. Në prag të përballjes që do të luhet në kryeqytet, drejtori sportiv i Vllaznisë, Vioresin Sinani, foli për situatën e skuadrës dhe objektivat në garën për titullin kampion.

Sinani pranoi se mungesat e Kastratit dhe Bismarkut kanë ndikuar në paraqitjet e ekipit, por theksoi se grupi vazhdon të besojë fort te rruga drejt titullit kampion. Drejtori sportiv u ndal edhe te çështja e bllokimit të merkatos nga FIFA, duke deklaruar se situata do të zgjidhet.

Ndërkohë, përballë Egnatias, Vllaznia do të ketë një mungesë të rëndësishme, pasi Melos Bajrami nuk do të jetë i gatshëm për këtë takim. Në katër përballjet sezonale mes dy ekipeve, kuqeblutë kanë ruajtur epërsinë ndaj rrogozhinasve. Vllaznia ka marrë dy fitore, ndërsa dy ndeshjet e tjera janë mbyllur në barazim, çka premton një tjetër përballje të luftuar dhe me shumë rivalitet në kryeqytet.