Një nga figurat më të rëndësishme të albanologjisë dhe studimeve gjuhësore shqiptare mbetet pa dyshim Prof. Dr. Kolë Ashta, studiuesi shkodran që ia kushtoi gjithë jetën kërkimit shkencor mbi gjuhën e vjetër shqipe dhe pasurinë leksikore të saj.

I lindur në Shkodër më 3 korrik 1918, Kolë Ashta kreu studimet e larta filologjike në Universitetin e Romës, ku u diplomua “Doktor në filozofi” në vitin 1942. Pas kthimit në Shqipëri, ai punoi fillimisht në Institutin e Studimeve Shqiptare në Tiranë dhe më pas si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Berat, Elbasan dhe Shkodër. Në vitin 1965 u emërua pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, ku dha mësim deri në daljen në pension (1976).

Por kontributi më i madh i Kolë Ashtës lidhet me punën e tij titanike në fushën e leksikologjisë historike. Ai konsiderohet një leksikolog i lindur, që me përkushtim të jashtëzakonshëm studioi gjuhën e autorëve të parë të shqipes dhe dokumenteve më të hershme të saj. Për dekada me radhë, Ashta mblodhi, analizoi dhe sistemoi leksikun e veprave të Gjon Buzukut, Lekë Matrangës, Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit, Kuvendit të Arbnit, Da Leçes, Kazazit, Varibobës, Kavaliotit, Voskopojarit dhe Meksit.

Kjo punë monumentale u konkretizua në serinë voluminoze “Leksiku historik i gjuhës shqipe I-VII”, botuar nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe institucionet albanologjike shqiptare në periudhën 1996–2018. Përmes këtyre botimeve u vu në dispozicion një fond i jashtëzakonshëm gjuhësor, që dokumenton evolucionin e shqipes ndër shekuj.

Një tjetër dëshmi e trashëgimisë së tij shkencore erdhi në vitin 2023 me botimin e veprës “Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës”, një dorëshkrim i lënë nga Kolë Ashta dhe i përgatitur për botim nga një grup studiuesish e pedagogësh të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Vepra përmban 5682 njësi leksikore dhe u pasurua me mbi 1000 shënime sqaruese për të lehtësuar përdorimin nga studiuesit dhe lexuesit e interesuar.

Rijetësimi i kësaj vepre u realizua nga Prof. Dr. Artan Haxhi, Prof. Dr. Mimoza Priku, Dr. Erzen Koperaj, Dr. Zamira Shkreli dhe Doc. Bora Logu, nën kujdesin shkencor të Prof. Tomor Osmanit dhe Prof. Dr. Tefë Topallit.

Puna e Kolë Ashtës mbetet një nga kontributet më të vyera për historinë e gjuhës shqipe dhe albanologjinë, duke e kthyer emrin e tij në një prej figurave themelore të studimeve gjuhësore shqiptare.

©️ Shkodra Zone