Muzika shqiptare po përjeton rikthimin e një prej ngjarjeve më të dashura artistike ndër vite. Pas një mungese të gjatë, Radio Televizioni Shqiptar ka zyrtarizuar rikthimin e Festivalit të Pranverës, një event që ka lënë gjurmë në historinë e muzikës së lehtë shqiptare dhe që synon të rikthejë emocionin e dikurshëm në skenën artistike.

Ky festival, i cili për shumë vite ka qenë pjesë e kujtesës kulturore të publikut rikthehet tashmë si një platformë për promovimin e artistëve dhe krijimeve të reja muzikore, duke bashkuar brezat përmes këngës dhe interpretimit live.

Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij edicioni do të jetë interpretimi live, një traditë që i jep festivalit emocione të veçanta dhe e dallon nga shumë produksione moderne muzikore. Pikërisht këtë vlerë e thekson edhe kompozitori shkodran Zef Çoba, i cili e konsideron rikthimin e festivalit si një nxitje për mendimin krijues dhe për forcimin e muzikës autentike shqiptare.

Festivali i Pranverës do të mbahet më 6 dhe 7 qershor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke rikthyer jo vetëm një aktivitet muzikor, por edhe nostalgjinë dhe kujtimet e një kohe kur muzika live ishte pjesë e pandashme e familjeve shqiptare.

Në skenë do të ngjiten 20 artistë, të cilët do të interpretojnë live, në një ndërthurje mes tingujve modernë dhe frymës tradicionale të festivaleve shqiptare. Organizatorët premtojnë një spektakël artistik me standarde të larta muzikore dhe skenike.

Rikthimi i Festivalit të Pranverës pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike të këtij sezoni, duke rikthyer në vëmendje traditën e festivaleve muzikore shqiptare dhe emocionin e interpretimit live në skenë.