Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat ka ratifikuar marrëveshjen financiare me Banka Evropiane e Investimeve, duke i hapur rrugë financimit të projektit strategjik “Porta e Alpeve”, një investim i rëndësishëm për zhvillimin e veriut të vendit.
Gjatë prezantimit në komision, zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj e cilësoi projektin si një ndërhyrje strategjike që synon rritjen e aksesit në zonat veriore, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, nxitjen e ekonomisë lokale dhe reduktimin e pabarazive rajonale.
Sipas tij, marrëveshja me BEI parashikon kushte të favorshme financiare, me norma të ulëta interesi dhe periudha të gjata shlyerjeje, duke e bërë investimin të përballueshëm për financat publike.
Ndërkohë, kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Milva Ekonomi, deklaroi se projekti përfaqëson një investim strategjik për zhvillimin ekonomik dhe turizmin gjithëvjetor në Shqipërinë e Veriut.
Sipas saj, financimi prej 50 milionë eurosh do të përdoret për përmirësimin e infrastrukturës bashkiake, rigjenerimin urban, zhvillimin e mobilitetit të qëndrueshëm, krijimin e shtigjeve turistike dhe korsive të biçikletave, si dhe për zhvillimin e hapësirave publike dhe produkteve të reja turistike.
Projekti “Porta e Alpeve” synon të lidhë Alpet Shqiptare me bregdetin Adriatik, duke krijuar një korridor të ri zhvillimi ekonomik dhe turistik për veriun e vendit.
