Ka nisur faza e dytë e projektit për ndriçimin e plotë rrugor në zonën e plazhit të Velipojës, një investim i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Shkodër, që synon përmirësimin e sigurisë dhe kushteve për qytetarët dhe pushuesit gjatë sezonit veror.

Projekti parashikon instalimin e mbi 450 ndriçuesve LED të teknologjisë së fundit në të gjitha segmentet rrugore të plazhit. Një pjesë e rrugëve kanë përfunduar tashmë, ndërsa puna vijon intensivisht në zonën e Vilunit.

Sipas inxhinierit të Bashkisë Shkodër, Elsid Sadiku, investimi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e standardeve të ndriçimit publik dhe sigurisë në një nga zonat më të frekuentuara turistike të veriut të vendit.

Kalimi nga ndriçuesit tradicionalë halogjenë në sistemin modern LED pritet të sjellë edhe ulje të ndjeshme të kostove të energjisë. Konsumi vjetor nga rreth 4.8 milion lekë me sistemin ekzistues parashikohet të reduktohet në afro 2.3 milion lekë, duke krijuar një kursim prej rreth 2.5 milion lekësh në vit.

Ndërhyrja synon jo vetëm përmirësimin e ndriçimit publik, por edhe rritjen e cilësisë së shërbimit dhe lëvizjes për pushuesit dhe banorët në Velipojë gjatë sezonit turistik.