Ka nisur në Shkodër edicioni i XXV i konkursit ndërkombëtar të interpretuesve të rinj të muzikës klasike “Çmimi Pjetër Gaci”, një nga aktivitetet më të rëndësishme artistike për talentet e reja. Në këtë edicion marrin pjesë rreth 120 konkurentë të moshave 7 deri në 23 vjeç nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Italia.
Drejtori organizativ, Dritan Mlika, u shpreh se këtë vit ka një rritje të interesit sidomos nga studentët në kategorinë e të rriturve, duke treguar zgjerimin dhe rëndësinë që po merr konkursi ndër vite.
Konsulenti artistik, Bardhyl Hysa, theksoi se “Çmimi Pjetër Gaci” shërben si një promovim i talenteve të reja dhe një nxitje për konkurencë më të fortë mes shkollave artistike. Ai apeloi ndaj prindërve që të mbështesin dhe ushqejnë pasionin e fëmijëve për artin dhe muzikën.
Ndërkohë, drejtori artistik Lorenc Radovani u ndal te procesi i vlerësimit, duke bërë të ditur se këtë vit janë ngritur dy grupe jurie për specialitetet pjesëmarrëse, me synim garantimin e një vlerësimi sa më profesional.
Nata finale e konkursit do të mbahet të shtunën në orën 19:00 në Teatrin “Migjeni” në Shkodër.
