Rolando Maran është zyrtarisht trajneri i ri Kombëtares shqiptare. Përmes një konference për media, paraditen e kësaj të marte, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka prezantoi trajnerin e ri të ekipit tonë kombëtar, z. Rolando Maran, i cili ka firmosur një kontratë për 1 vit e gjysmë me FSHF-në.

Ndihmësi i tij në stolin kuqezi do të jetë, Christian Maraner, i cili gjithashtu ka firmosur kontratën e tij me FSHF.

Presidenti Duka sqaroi edhe detajet e arritura me trajnerin e ri të ekipit kombëtar, duke nënvizuar se objektivi është vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi i skuadrës në finalet e Europianit 2028.

Trajneri i ri i Kombëtares Maran pason Sylvinjon i cili kualifikoi skuadrën në Europianin e fundit dhe e dërgoi Shqipërinë në fazën Play-off për Botërorin e këtij viti.