Pas tre muajsh ndeshje dhe rivaliteti sportiv, ka përfunduar turneu “Shkodra Youth Cup”, një aktivitet që bëri bashkë 14 ekipe të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës. Kompeticioni solli emocione, frymë gare dhe angazhim të të rinjve në aktivitete sportive e sociale.
Finalja e madhe u zhvillua në një atmosferë festive, ku nxënës, mësues dhe mbështetës të ekipeve ndoqën nga afër ndeshjen përmbyllëse të këtij edicioni.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, Drejtorja e ZVA Shkodër Brisela Kadija, kapiteni i KF Vllaznia Bekim Balaj dhe trajneri Amarildo Belisha, të cilët vlerësuan rëndësinë e sportit tek të rinjtë dhe nisma të tilla që promovojnë bashkëpunimin, disiplinën dhe jetën aktive.
“Shkodra Youth Cup” u organizua nga Këshilli Vendor Rinor me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, me synimin për të nxitur sportin dhe përfshirjen e të rinjve në aktivitete komunitare.
Në përfundim të turneut, skuadra e gjimnazit “Oso Kuka” u shpall kampione, duke ngritur trofeun pas paraqitjeve të suksesshme gjatë gjithë kompeticionit.
