Në ambientet e Muzeut Historik në Shkodër u zhvillua aktiviteti “Art’ Zanatet”, i cili solli në fokus punimet tradicionale dhe trashëgiminë artizanale shqiptare ku në fokus ishte artizania Valbona Trungaj.
Ajo u shpreh se traditën e punimit me ojna e ka të trashëguar ndër breza, por sot vihet re mungesë interesi nga të rinjtë për të mësuar dhe vijuar këtë mjeshtëri.
Ndërkohë, specialisti i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Petrit Bilali, bëri të ditur se për këtë pasuri kombëtare është përgatitur dhe dërguar edhe dosja për në UNESCO, me synimin për ta mbrojtur dhe promovuar më tej këtë traditë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Aktiviteti synoi të ndërgjegjësojë publikun mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore dhe zanateve tradicionale, si pjesë e identitetit kulturor të vendit.
