Qarku i Shkodrës numëron rreth 105 mijë hektarë zona të mbrojtura dhe 115 monumente natyrore, të cilat gjatë vitit të kaluar u vizituan nga mbi një milion turistë vendas dhe të huaj. Bukuritë natyrore të Alpeve, Velipojës, liqenit të Shkodrës dhe zonave të tjera të mbrojtura vijojnë të jenë ndër destinacionet më të preferuara të turizmit natyror në vend.
Por krahas zhvillimit ekonomik që sjell turizmi, specialistët paralajmërojnë edhe për pasojat që po shkakton turizmi masiv në mjedis dhe ekosistem.
Drejtori i AdZM Shkodër, Agim Dardha, shprehet se pasojat janë ndjerë që në nisje të këtij viti, sidomos pas reshjeve të dendura dhe përmbytjeve që sollën mbeturina të shumta plastike në bregdetin e Velipojës. Sipas tij, hedhja pa kriter e mbetjeve në basenin e Drinit, lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës bën që mbeturinat e hedhura në një zonë turistike të përfundojnë në një tjetër, duke dëmtuar natyrën dhe biodiversitetin.
Ndërkohë, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli, thotë se në sitet arkeologjike dhe monumentet kulturore janë vendosur tabela informuese dhe sinjalistikë sensibilizuese për mbrojtjen e tyre nga dëmtimet. Sokoli thekson se turistët e huaj tregohen më të kujdesshëm ndaj trashëgimisë kulturore krahasuar me turistët vendas.
Specialistët nënvizojnë se zhvillimi i turizmit duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe ndërgjegjësim qytetar, në mënyrë që përfitimet ekonomike të mos cenojnë ruajtjen e natyrës dhe trashëgimisë kulturore.
