Nga Qamil Gjyrezi
Më datë 15 maj 2026 u zhvillua në hollin e Teatrit ‘Migjeni’ koncerti vokal “Udhëtim në opera”, një aktivitet me shumë vlera artistike, me pedagogë dhe ish-nxënës të shkollës artistike “Prenk Jakova” në Shkodër. E kam shkruar në titull “koncert me ish-nxënës të shkollës artistike ‘Prenk Jakova’”, për të theksuar rëndësinë e kësaj shkolle artistike, që është simbol i artit muzikor.
Profesori Lukë Mllugja dhe profesorja Denisa Hardadhia janë pedagogë në shkollën artistike, ndërsa ish-nxënësit e kësaj shkolle, Ivan Tanushi dhe Gerald Lazri, studiojnë me shumë sukses në Itali, në akademitë më të mira, në “Panteonin e operës botërore”.
Koncerti ishte në një nivel të lartë artistik. Profesori Lukë Mllugja dhe profesorja Denisa Hardadhia, krahas mësimdhënies së kantos, janë aktivë edhe në aktivitetet kulturore dhe artistike të qytetit të Shkodrës.
Bas-baritoni Lukë Mllugja e njeh shumë mirë “bel canton” italiane. Ai ka studiuar në Itali dhe zotëron aftësi teorike dhe artistike për operën italiane. Lukë Mllugja këndoi me një zë të plotë, të bukur dhe me shumë stil pjesët e këtij koncerti.
Sopranoja Denisa Hardadhia prezantoi para publikut shkodran, që kishte tejmbushur hollin e Teatrit ‘Migjeni’, muzikalitet, zë me timbër shumë të mirë, stil dhe mendim operistik.
Ndërsa tenori Ivan Tanushi dhe bas-baritoni Gerald Lazri u prezantuan si dy artistë me shumë të ardhme për skenën operistike. Tanushi dhe Lazri kanë studiuar shumë mirë edhe në shkollën artistike “Prenk Jakova”. Por studimet në universitetet italiane u japin një dimension dhe formim tjetër artistik e kulturor të nivelit të lartë.
Tanushi u shqua për teknikë vokale, zë të ndritshëm, muzikalitet dhe stil, elemente që i prezantoi me shumë cilësi edhe Gerald Lazri. Të dy artistët e rinj do të jenë e ardhmja e muzikës operistike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në skenat europiane.
Duke dëgjuar artistët që performuan atë natë, mendoj se ata janë edhe një shembull dhe model që tregojnë se arti i vërtetë kërkon talent dhe punë. Ky nivel artistik duhet të jetë një mesazh edhe për “tallavanë artistike”, që nuk duhet të ketë të ardhme në sallat artistike të qytetit të Shkodrës.
Krahas autorëve me famë botërore të operës, artistët interpretuan me shumë pasion edhe pjesë nga krijimtaria artistike e “simbolit” të artit mbarëshqiptar, të madhit Prenk Jakova. Pjesët e kompozuara nga Prenk Jakova transmetuan emocione të veçanta tek publiku.
Duhet falënderuar publiku shkodran, i cili, siç deklaroi bas-baritoni Gerald Lazri, është “lojtari i 12-të” në një aktivitet artistik.
Kam një kritikë për drejtuesit e kulturës dhe muzikës në Shkodër, muzikantët dhe instrumentistët, të cilët duhet të marrin pjesë në aktivitete të kësaj natyre. Artistët pjesëmarrës në koncert — Mllugja, Hardadhia, Tanushi dhe Lazri — duhet të marrin pjesë edhe në koncertet e organizuara nga Orkestra e Shkodrës.
Në koncert u interpretua nga Don Mikel Koliqi “Mbi ledhet e krisuna”, si dhe melodrama “Ruba e Kuqe”, e interpretuar nga Denisa Hardadhia, Gerald Lazri, Ivan Tanushi dhe Lukë Mllugja.
Koncerti “Udhëtim në opera” u prezantua me shumë “sharm artistik” dhe pasion nga moderatorja e mirënjohur Linda Doda Kavaja, e cila e do dhe e vlerëson muzikën.
Koncerti u shoqërua në piano me kompetencë nga kompozitori Gjon Shllaku, i cili mbështeti interpretimin e këngëtarëve artistikisht dhe muzikalisht.
Aktori i mirënjohur Zef Ndoja transmetoi emocione tek publiku me interpretimin e tij plot pasion.
Si përfundim, koncerti “Udhëtim në opera” ishte gjithashtu edhe:
- Një mesazh artistik për Shkodrën, me histori të ndritur muzikore,
- Arti muzikor i vërtetë dhe opera e kanë shtëpinë në Shkodër,
- Faleminderit shkollës italiane të operës për vlerat e mëdha artistike që transmeton,
- Faleminderit Prenkë Jakova për muzikën e madhe dhe të pavdekshme që ke lënë trashëgimi.
