Faza “Final 4” e kampionatit “Abissnet Superiore” ka nisur me surprizë, pasi Vllaznia është mposhtur 2-0 nga Dinamo City në sfidën e parë të fazës finale, duke komplikuar ndjeshëm rrugën drejt titullit kampion.

Edhe pse Dinamo zbriste në fushë me mungesa të rëndësishme dhe me trajnerin Ilir Daja të pezulluar, blutë arritën të shfrytëzojnë maksimalisht gabimet e shkodranëve. Vllaznia zhvilloi një ndeshje larg pritshmërive, me shumë raste të humbura dhe një lojë sulmuese që nuk funksionoi në asnjë moment.

Në pjesën e dytë, situata u përkeqësua edhe më shumë për kuqeblutë pas kartonit të kuq të Bajramit. Dinamo përfitoi nga epërsia numerike dhe kaloi në avantazh me Malomon, i cili nuk e festoi golin ndaj ish-ekipit të tij. Pavarësisht përpjekjeve të Vllaznisë për t’u rikthyer në lojë, skuadra shkodrane vazhdoi të shpërdoronte raste të pastra, ndërsa në fund Xhejms vulosi gjithçka me golin e dytë për Dinamon.

Me këtë fitore, Dinamo City ngjitet në kuotën e 27 pikëve, vetëm katër pikë larg Vllaznisë dhe Elbasanit. Ndërkohë, sfida e nesërme mes Elbasanit dhe Egnatias mund të ndikojë ndjeshëm në fatet e titullit kampion.