Këngëtari shkodran Alis Kallaçi ka dhuruar një performancë drithëruese në finalen e madhe të Eurovision Song Contest 2026, duke emocionuar publikun europian me interpretimin e këngës “Nan”.

Në skenën madhështore të Vjenës, Alisi performoi i pesti në renditje, duke sjellë edhe njëherë një interpretim plot ndjenjë, emocion dhe fuqi vokale. Një nga elementët më të veçantë të performancës ishte rikthimi në skenë i aktores së njohur Rajmonda Bulku, e cila i dha këngës një dimension artistik dhe simbolik, duke forcuar mesazhin për figurën e nënës shqiptare.

Pas një gjysmëfinaleje të vlerësuar gjerësisht nga publiku dhe ekspertët e muzikës, Alisi konfirmoi edhe në finale nivelin e tij artistik, ndërsa shumë komentues e cilësuan si një nga vokalet më të mira të këtij edicioni të Eurovisionit.

Performanca u shoqërua nga flamuj kuqezi dhe një atmosferë elektrizuese në sallë, duke krijuar një moment krenarie për shqiptarët kudo në botë. Tashmë sytë janë te votat e publikut, ku diaspora shqiptare dhe të gjithë mbështetësit e Shqipërisë mund të votojnë Alisin me kodin 05.