Në ambientet e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër është çelur ekspozita historike “Danishi dhe Danuta: Një dashuri shqiptaro-polake”, një aktivitet përkujtimor kushtuar jetës dhe veprës së piktorit të njohur Danish Jukniu dhe bashkëshortes së tij, mjekes polake Dr. Danuta Kościuszko Jukniu.
Ekspozita, e organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Polonisë në Shqipëri dhe Bashkinë Shkodër, sjell dokumente origjinale, fotografi të rralla dhe materiale historike që pasqyrojnë jetën personale dhe profesionale të çiftit Jukniu, nga njohja e tyre në Krakov të Polonisë gjatë viteve ’50 e deri në kontributin që dhanë në Shqipëri, veçanërisht në Shkodër.
“Kontakti im me këtë histori ka nisur kur unë erdha në misionin diplomatik në Shqipëri, një vit më parë. Konstatova në muret e Ambasadës një skicë që qëndronte varur dhe që kishte një shënim në anën e pasme nga piktori Maks Velo në të cilin shkruhej se kjo skicë ishte realizuar nga një artist polak, profesor i Danish Jukniut dhe që kishte vizituar Shqipërinë në mesin e viteve ‘50. Kjo skicë ishte dhuruar Ambasadës nga Maks Velo në vitin 2010. E gjithë kjo shërbeu si nxitje që unë të interesohesha më shumë për piktorin Danish Jukniu. Mësova që ai kishte studiuar në Poloni dhe kishte patur një bashkëshorte polake dhe nga ai moment nisa kërkimet e mia për doktoreshë Danutën”, theksoi mes të tjerave Wojciech Unolt.
Ideatori dhe kuratori i ekspozitës, historiani Xherardo Nikjari, e ka konceptuar ekspozitën në dy cikle. Në pjesën e parë prezantohen dokumente dhe fotografi që lidhen me jetën dhe karrierën e Dr. Danutës si mjeke në Tiranë dhe Shkodër, ndërsa në ciklin e dytë janë ekspozuar për herë të parë piktura të pashfaqura më parë të Danish Jukniut, një prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar.
Danish Jukniu konsiderohet një nga figurat më përfaqësuese të pikturës shqiptare të shekullit XX. I diplomuar në Akademinë e Arteve në Krakov të Polonisë, ai solli në krijimtarinë e tij ndikime moderne artistike dhe një stil të veçantë që dallonte për finesë, intelektualizëm dhe përqendrim estetik. Krahas pikturës së portretit, ku spikat vepra “Gjon Buzuku”, Jukniu dha kontribut edhe në artet aplikative dhe në edukimin artistik të brezave të rinj, veçanërisht gjatë viteve kur shërbeu si pedagog në Tiranë dhe më pas në Shkodër.
Pas vendosjes së tyre përfundimtare në Shqipëri në vitin 1963, Dr. Danuta shërbeu si mjeke dhe pediatre, ndërsa Danish Jukniu vijoi aktivitetin e tij si pedagog dhe artist, duke dhënë kontribut të rëndësishëm edhe në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për 10 ditë, duke u dhënë mundësi qytetarëve dhe artdashësve të njihen më nga afër me historinë dhe trashëgiminë e këtij çifti shqiptaro-polak që la gjurmë në jetën kulturore dhe shoqërore të vendit.
