Në kuadër të “Javës së Evropës”, Stacioni i Trenit në Shkodër është shndërruar në një hapësirë arti dhe kujtese kolektive përmes projektit “Terminal: Vini re, vini re!”, një eksperiencë artistike e sjellë nga Eda Zari dhe Kult 360 Collective.
Për tre ditë me radhë, nga 15 deri më 17 maj, në këtë hapësirë industriale gjenden instalacione artistike, materiale arkivore, tinguj, video-projeksione dhe performanca live, duke rikthyer vëmendjen tek historia dhe simbolika e hekurudhës shqiptare.
Sipas ideatores së projektit, Eda Zari, dhe organizatores Eda Elbasani, synimi është që hekurudha të mos mbetet vetëm pjesë e memories kolektive, por të shërbejë edhe si thirrje për reflektim mbi zhvillimin dhe të ardhmen e infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri.
Një kontribut të veçantë në këtë projekt ka dhënë edhe Ergys Shehu, përmes kërkimeve në arkivat e hekurudhave shqiptare, duke sjellë elementë autentikë të kohës në këtë atmosferë artistike.
Ndërkohë, hekurudha shqiptare vijon të jetë në një proces transformimi për t’iu përshtatur standardeve bashkëkohore të infrastrukturës, një proces që pritet të kërkojë kohë dhe investime të mëtejshme.
