Kalaja “Rozafa” vijon të mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në Shkodër dhe në gjithë vendin. Vetëm gjatë muajit prill, monumenti më i rëndësishëm historik i qytetit ka regjistruar rreth 17 mijë vizitorë vendas dhe të huaj.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli, shprehet se interesi në rritje i turistëve ka sjellë edhe zgjatjen e orarit të vizitave gjatë sezonit veror, duke u krijuar mundësi më shumë vizitorëve për të eksploruar kalanë dhe historinë e saj.
Sokoli bën të ditur se Kalaja “Rozafa” pritet t’i nënshtrohet së shpejti një projekti rijetëzimi, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kthimin e saj në një hapësirë edhe më tërheqëse për turizmin kulturor.
Parku Arkeologjik i Shkodrës renditet ndër pesë sitet më të vizituara në vend gjatë muajve janar-prill 2026. Ai ka pritur 33,273 vizitorë, duke regjistruar një rritje prej 87% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
