Me shumë emocion dhe pritje, finalja e madhe e Eurovision po afrohet! Renditja e pjesëmarrësve është publikuar, ndërsa Shqipëria, përfaqësuar nga Alis, do të ngjitet në skenë i pesta për të performuar “Nan”.

Me një interpretim vokal të fuqishëm dhe thellësisht emocional, Alis elektrizoi arenën e Wiener Stadthalle në natën e dytë gjysmëfinale, duke i siguruar Shqipërisë biletën për në natën e shumëpritur të së shtunës. Gara e finales do të hapet nga Danimarka, ndjekur më pas nga Gjermania dhe Izraeli.

Finalja e Eurovision do të transmetohet drejtpërdrejtë për publikun shqiptar në RTSH 1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana.

Në Finalen e Madhe, votimi do të hapet pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të qëndrojë i hapur gjatë të gjitha performancave dhe më pas edhe 40 minuta pasi të jetë interpretuar kënga e fundit. Për këngën e preferuar, mund të votohet deri në 10 herë.

Nëse ndodheni në një vend jo pjesëmarrës, votimi online në esc.vote do të hapet në mesnatë dhe do të mbyllet kur fillon shfaqja live, për t’u hapur përsëri pak para se të interpretohet kënga e parë. Më pas do të mbetet e hapur gjatë gjithë shfaqjes live deri rreth 40 minuta pasi të jetë prezantuar kënga e fundit konkuruese.