Katedralja e “Shën Shtjefnit” në Shkodër u mbush me besimtarë katolikë në meshën solemne të organizuar me rastin e ardhjes së relikes së Shën Kollit, një prej shenjtorëve më të dashur dhe më të nderuar të Kishës Katolike. Ceremonia u drejtua nga Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, i cili gjatë mesazhit të tij para besimtarëve theksoi rëndësinë e forcimit të besimit, unitetit dhe shpresës në familje dhe shoqëri.
Në përfundim të meshës, besimtarët iu bashkuan procesionit solemn në rrugët e qytetit, duke shoqëruar reliken e Shën Kollit me lutje dhe këngë kishtare. Procesioni krijoi një atmosferë të veçantë shpirtërore në Shkodër, ndërsa ndalesa e fundit u zhvillua në Kishën e Shën Kollit, ku relikja u vendos për nderim dhe lutje nga besimtarët.
Besimtarë të shumtë u afruan për të bërë lutje personale dhe për të përjetuar nga afër këtë moment të rrallë fetar, që konsiderohet një ngjarje me rëndësi të veçantë për komunitetin katolik të qytetit.
Relikja e ardhur në Shkodër ruhet në Bari të Italisë dhe lidhet me Shën Kollin, ipeshkëv i Myrës në Licia, i njohur në traditën e krishterë si mrekullibërës dhe mbrojtës i fëmijëve, familjeve dhe detarëve. Figura e tij nderohet prej shekujsh në mbarë botën dhe është frymëzim i shumë traditave fetare e kulturore.
