Atleti shkodran Muhamet Çangeli ka arritur së fundmi një sukses të madh në garat e vlefshme për Kupën e Shqipërisë të zhvilluara në Elbasan. Në disiplinën e kërcimit së gjati, ai realizoi distancën 7.73 metra, rezultat që jo vetëm i siguroi titullin si sportisti më i mirë i aktivitetit, por e renditi edhe në historinë e atletikës shqiptare.
Me këtë rezultat, Çangeli bëhet sportisti i tretë me kërcimin më të mirë në historinë e atletikës shqiptare në këtë disiplinë. Në krye të renditjes vazhdon të jetë Izmir Smajlaj me 8.16 metra, rekord i vendosur në vitin 2021 në Tiranë, ndërsa në vendin e dytë renditet ish-rekordmeni shkodran Admir Bregu me 7.89 metra, rezultat i arritur në vitin 2008 në Rumani.
Tashmë emri i Muhamet Çangelit është pjesë e historisë së atletikës shqiptare, ndërsa arritja e tij konsiderohet edhe një sukses për sportin shkodran. Vetë atleti, rrëfen mbi emocionet dhe ndjesitë që i ka dhënë ky rezultat i rëndësishëm në karrierën e tij.
Ndërkohë, trajneri Dorjan Tafa, i cili e stërvit Muhametin prej moshës 9-vjeçare, e cilëson këtë sukses si fryt të punës së gjatë, përkushtimit dhe traditës së atletikës shkodrane, duke kujtuar edhe gjurmët që ka lënë ndër vite trajneri i njohur Vildan Tufi në këtë sport.
Vetë Çangeli thekson se sfida e tij e radhës mbetet kapërcimi i kufirit prej 8 metrash në kërcimin së gjati, një objektiv që do ta vendoste mes emrave më të mëdhenj të atletikës shqiptare.
Arritje të tilla tregojnë potencialin e sportistëve të rinj shkodranë dhe nevojën që ata të mbështeten më shumë nga institucionet sportive, federatat dhe pushteti vendor, në mënyrë që talentet të vazhdojnë të rriten dhe të përfaqësojnë denjësisht vendin në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
