Shkodra ishte ndalesa e parë e turit kombëtar që po zhvillon Instituti i Statistikave INSTAT në disa qytete të vendit, në kuadër të prezantimit të platformave digjitale dhe forcimit të qeverisjes vendore përmes statistikave zyrtare.
Workshop-i me temë “Forcimi e Qeverisjes Vendore përmes Platformave Digjitale të INSTAT” pati pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive të qarkut Shkodër, ekspertëve të statistikave dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, znj. Lantona Sado, u shpreh se në kuadër të agjendës së integrimit europian, një rëndësi të veçantë ka forcimi i qeverisjes vendore dhe mbledhja e saktë e evidencave statistikore.
Ndërsa përfaqësuesja e Bashkëpunimit Zviceran për Zhvillim, Sabine Piccard vuri theksin te rëndësia e të dhënave të sakta për zhvillimin e komuniteteve lokale.
“Zvicra beson fort se qeverisja e mirë fillon me të dhëna të mira. Bashkitë sot pritet t’u përgjigjen sfidave gjithnjë e më komplekse, nga planifikimi urban dhe shërbimet publike te përfshirja sociale, zhvillimi ekonomik lokal dhe menaxhimi i mjedisit. Për të marrë vendime të informuara në këto fusha, institucionet vendore kanë nevojë për të dhëna të besueshme, në kohë dhe informacion të aksesueshëm”, u shpreh ajo.
Gjatë workshop-it u prezantuan dashboard-et dhe platformat digjitale të INSTAT për shpërndarjen e statistikave në nivel rajonal, ndërsa u zhvilluan edhe diskutime mbi përdorimin e të dhënave në hartimin e politikave lokale dhe vendimmarrjen e bazuar në evidencë.
