Nata e dytë e gjysmëfinales së Eurovision Song Contest 2026 ka ulur siparin me një lajm të jashtëzakonshëm për publikun shqiptar: Alis ka prekur me sukses Finalen e Madhe! Me një interpretim vokal të fuqishëm dhe thellësisht emocional, artisti ynë elektrizoi arenën e Wiener Stadthalle, duke i siguruar Shqipërisë biletën për në natën e shumëpritur të së shtunës.
“Nân” elektrizon skenën
Alis dhuroi një performancë të shkëlqyer që tërhoqi menjëherë vëmendjen e sallës dhe miliona shikuesve në mbarë Evropën. Me një interpretim plot siguri dhe energji, ai arriti të krijojë një nga momentet më të bukura të mbrëmjes.
Kënga u shoqërua me një performancë skenike moderne dhe efekte vizuale mbresëlënëse. Duartrokitjet e gjata dhe brohoritjet në fund të interpretimit treguan qartë entuziazmin e publikut. Ky triumf vjen pas një jave ku kënga “Nân” dhe vokali i Alis u vlerësuan gjerësisht nga mediat ndërkombëtare si një nga interpretimet më të forta dhe vokalisht më të përsosura të këtij edicioni.
Krenaria e Flamurit
Mes dritave verbuese dhe atmosferës elektrizuese të Vjenës, një simbol mori vëmendje të veçantë: Flamuri Kuqezi. Gjatë gjysmëfinales së dytë, ngjyrat e Shqipërisë u valëvitën me krenari të ligjshme.
Në zemër të “Dhomës së Gjelbër” (Green Room), aty ku rrahjet e zemrës shtoheshin për çdo delegacion në pritje të rezultateve, si dhe në arenën e spektatorëve, prania e flamurit shqiptar krijoi një emocion të papërshkrueshëm. Valëvitja e tij shërbeu si një mesazh i qartë i pranisë së fortë të kulturës dhe pasionit shqiptar në këtë jubile të 70-të të festivalit evropian, duke dëshmuar sërish se mbetet një element i pandashëm i identitetit tonë në skenat ndërkombëtare.
10 shtetet e kualifikuara
Në përfundim të televotimit dhe vlerësimit të jurive, Shqipëria u shpall mes 10 shteteve që kalojnë në Finalen e Madhe. Ata do t’u bashkohen 10 shteteve të kualifikuara nga nata e parë dhe vendeve të “Big 5” (+ shteti mikpritës). Tashmë sytë dhe zemrat janë drejtuar te e shtuna, ku Alis do të ngjitet sërish në skenë me shpresën, pse jo, për të sjellë trofeun e madh në Tiranë./rtsh/
