Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin e Fondit të Gjelbër të Pemëve, një mekanizëm i ri që synon rritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe integrimin e më shumë pemëve në zhvillimin urban në vend.
Sipas vendimit, fondi do të funksionojë si një fond fizik me fidanë dhe pemë për mbjellje, ndërsa administrimi i tij do të bëhet nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit.
Vendimi përcakton detyrime konkrete për subjektet që pajisen me leje ndërtimi. Për objektet rezidenciale dhe turistike kërkohet mbjellja e një peme për çdo 30 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi, me kufi minimal 20 pemë për kat dhe maksimum 500 pemë për çdo leje ndërtimi.
Ndërkohë, për vilat dhe shtëpitë individuale parashikohet mbjellja e 10 pemëve, po aq edhe për magazinat bujqësore dhe industriale. Për centralet energjetike, detyrimi është 10 pemë për çdo megavat kapacitet.
Vendimi përfshin edhe subjektet që shfrytëzojnë hapësira publike. Çdo biznes apo person që merr leje nga bashkia për përdorimin e hapësirës publike do të duhet të kontribuojë me një pemë për çdo tavolinë ose të paguajë vlerën përkatëse në fondin e gjelbër të bashkisë.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jenë përgjegjëse për identifikimin e hapësirave të mbjelljes dhe mirëmbajtjen e pemëve, ndërsa Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të krijojë regjistrin elektronik të fondit në sistemin e-Leje.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
