Shkrimtari nga Shkodra, Suad Arilla, do të vizitojë këtë javë “Salone Internazionale del Libro” në Torino, një nga ngjarjet më të rëndësishme europiane kushtuar librit, letërsisë dhe industrisë së botimit.
Panairi, i cili zhvillohet në ambientet e Lingotto Fiere, mbledh çdo vit autorë, botues, përkthyes, studiues dhe lexues nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar një hapësirë të gjerë komunikimi kulturor dhe letrar. Sipas agjendës zyrtare, përgjatë pesë ditëve, me datat 14 – 18 maj, janë planifikuar rreth 1000 ngjarje, mes promovimeve të librave, diskutimeve, debateve dhe takimeve me shkrimtarë nga vende të ndryshme.
Për autorin Suad Arilla, kjo pjesëmarrje është moment i rëndësishëm vazhduar kontaktin me disa prej hapësirave më të rëndësishme europiane të librit dhe kulturës, por edhe për angazhimin personal, entuziasmin, krijimin e përceptimeve të reja letrare e kulturore.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Arilla e përshkroi panairin si një nga ambientet më të rëndësishme për librin për sa i përket “shkëmbimit, njohjes dhe komunikimit mes gjuhëve, vendeve, shtëpive botuese dhe autorëve”. Ai u shpreh se ngjarje të tilla mbeten ndër momentet që “mbajnë gjallë prushin për letërsinë”, sidomos në kohë kur kultura dhe leximi përballen me transformime të vazhdueshme.
Vizita e Suad Arilla në “Salone Internazionale del Libro” konsiderohet gjithashtu një mundësi për krijimin e kontakteve të reja në fushën e botimit, përkthimit dhe promovimit të autorëve shqiptarë në tregun europian të librit.
