13 maji i këtij viti shënon 81-vjetorin e krijimit të Radio Shkodrës, institucionit emblematik të medias në veri të vendit. Mes shumë zërave që kanë qenë pjesë e historisë e saj është edhe Jalldiz Kastrati, e cila rikthehet pas tre dekadash në ambientet e radios, një rikthim që, siç shprehet vetë ajo, i ka falur emocione të veçanta.
Në intervistën e saj, Kastrati kujton fillimet në Radio Shkodra në mesin e viteve ’70, duke ndalur te emocionet e hyrjes në institucionin që për shumë vite do të bëhej pjesë e pandashme e jetës së saj profesionale.
Ajo rrëfen se periudha në radio ishte një ndërthurje mes pasionit për gazetarinë dhe vështirësive që sillte sistemi monist i kohës. Jalldiz Kastrati kujton edhe paragjykimet që vinin për shkak të biografisë, ndërsa thotë se këshillat e të atit, doktor Nuri Kastrati, e kanë ndihmuar të ecë përpara në momentet më të vështira.
Gjatë karrierës në Radio Shkodra, ajo ka kontribuar si folëse, redaktore dhe kronikane. Kastrati thekson se ishte plotësisht e vetëdijshme se media e asaj kohe i shërbente ideologjisë së partisë-shtet, por pavarësisht kësaj, përkushtimi ndaj profesionit dhe dashuria për radion ishin të forta.
Sot, Jalldiz Kastrati ushtron profesionin e juristes, por një pjesë e rëndësishme e kujtimeve dhe dashurisë së saj vazhdon të mbetet e lidhur me Radio Shkodrën, institucionin ku ajo kaloi vite të rëndësishme të jetës profesionale.
