Në një reportazh të përgatitur nga Federata Shqiptare e Futbollit, fokusi ndalet te 4 skuadrat e kreut dhe padyshim te Vllaznia, skuadra që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë dhe që synon rikthimin e titullit kampion në Shkodër pas 25 vitesh pritje.
Kuqeblutë do të përballen në “Final 4” me Dinamo City, Egnatian dhe Elbasanin ndërsa në qytetin verior besimi për triumfin final është më i madh se kurrë. Drejtori sportiv Vioresin Sinani, i fundit që ka ngritur trofeun me fanellën kuqeblu, shprehet optimist se ky mund të jetë sezoni i shumëpritur për tifozët shkodranë.
Optimist për objektivin është edhe trajneri Edi Martini, i cili vlerëson forcën dhe nivelin që skuadra ka treguar gjatë gjithë kampionatit.
Në reportazhin e FSHF TV, kapiteni Bekim Balaj e cilëson si përgjegjësi të madhe pritjen 25-vjeçare për titullin, ndërsa mesfushori Sherif Kallaku thekson se e ka ndjerë menjëherë pasionin e jashtëzakonshëm të qytetit për futbollin.
Shkodra tashmë jeton me ëndrrën e rikthimit të trofeut kampion, në një sezon ku Vllaznia synon të fitojë titullin e dhjetë.
