Organizata “Alternativa Studentore” në bashkëpunim me Spitalin Rajonal Shkodër dhe Drejtorinë Rajonale të Operatorit të Kujdesit dhe Shërbimit Shëndetësor zhvilluan ceremoninë e certifikimit për studentët vullnetarë, duke vlerësuar angazhimin dhe kontributin e tyre në aktivitete humanitare, shërbime sociale dhe nisma në dobi të komunitetit.

Në këtë aktivitet morën pjesë studentë, përfaqësues institucionesh dhe partnerë bashkëpunues, të cilët vlerësuan rëndësinë e vullnetarizmit dhe përfshirjes së të rinjve në jetën sociale.

Eva Shkreli, kryeinfermiere pranë Shtëpive të Mbështetura Psikiatrike, u ndal te rëndësia që ka kontributi vullnetar i studentëve në mbështetjen e kategorive në nevojë dhe në forcimin e ndjenjës së solidaritetit në komunitet.

Presidenti i organizatës “Alternativa Studentore”, Durim Komi, theksoi se përmes këtyre aktiviteteve synohet jo vetëm ndihma ndaj komunitetit, por edhe formimi profesional dhe qytetar i të rinjve.

Vetë studentët u shprehën se angazhimi në aktivitete vullnetare i ka bërë të ndihen më të dobishëm dhe më të përmbushur, ndërsa kanë fituar eksperienca të vlefshme në shërbim të komunitetit.

Në përfundim të aktivitetit, studentët u pajisën me certifikata vlerësimi për kontributin e tyre në aktivitete komunitare, seanca dhurimi gjaku, praktika profesionale dhe nisma sensibilizuese të organizuara në bashkëpunim me institucionet partnere.