Rruga Bogë-Theth, një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore të veriut shqiptar, ka qenë prej dekadash simbol i lidhjes së Alpeve me pjesën tjetër të vendit. Në tetorin e vitit 1938, në ceremoninë e inaugurimit të segmentit Okol–Theth, politikani dhe ministri shkodran i Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, mbajti një fjalim ku vlerësoi rëndësinë ekonomike, turistike dhe shoqërore të kësaj rruge për zhvillimin e zonës së Dukagjinit dhe bjeshkëve shqiptare.

Në fjalën e tij, Rrok Gera e cilësoi rrugën si një vepër që do t’i jepte gjallëri tregtisë dhe turizmit malor, duke nxjerrë nga izolimi një prej krahinave më piktoreske të Shqipërisë. Ai nënvizoi gjithashtu kontributin e punëtorëve, institucioneve shtetërore dhe mbështetjes financiare të kohës për realizimin e kësaj vepre madhore. Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë dhe mbajti një fjalim edhe At Gjergj Fishta.

Fjalimi i plotë i Ministrit të Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera (1938)

E pret kordelen Ministri i Ekonomisë Kombëtare z. Rrok Gera.

Zonja e Zotnij të ndershëm!
Në zavendsim të Shkëlqesisë së Tij Kryeministrit dhe zv.ministrit të Punëve Botore, jam i lumtun qi po më jepet rasa t’inauguroj këtë rrugë me randsi të Mbretnis.

Rruga Koplik-Bogë-Theth ka pas kenë fillue të ndërtohet para sa vitesh me anën e punëtorëve detyruesa të Botores. Suksesivisht këto punime përfituen nga ndihma financiare e huaja SVEA dhe në kohnat e fundit edhe prej nji shume tjetër të mirë, qi kje vue në dispozicion prej financimit të veçantë t’akorduem nga Italija.

Zhvillimi i përgjithshëm i kësaj rruge prej Koplikut e deri në Theth, asht 62 kilometra. Pjesa e kësaj rruge qi u përfundue ndër këto ditë dhe të cilën neve sot po e inaugurojmë, asht prej 27 kilometra prej Okollet të Bogës e deri në Theth. Bjeshkët shqiptare përshtaten në Qafën e Bonitares, fare afër kuotës 600. Kjo rrugë i jep gjallim tregtisë dhe kryesisht, turizmit të nji bukurije piktoreske dhe prej natyre madhështore, të cilat deri tani ishin t’izolueme.

Lugina e Shalës e pasun me ujna dhe me pyje të blerta, nuk ka për t’mungue, sikundër dhe ka ndodhë, me tërhjeke për Bogë njerëzinë për bjeshkim dhe sportizmë për ndërmale.

Veç kësaj, pjesa e rrugës Bogë-Theth nuk ka vetëm qëllim si rrugë më vedi, mbasi qi kjo duhet të vijojë kah Valbona dhe përtej, për të lidhun me rrugë moderne dhe të përshtatshme, krahinat e ndryshme t’Atdheut, qi deri tani ndodhen ende të ndara dhe të shkëputuna nga jeta shoqnore. Dhe në këtë mënyrë Shqipnia dita-ditës po shkon vazhdimisht dhe përherë e ma tepër drejt përparimit qytetnuer dhe ekonomik të sajin dhe të kryemit e rrugës Bogë-Theth, asht nji ndër faktet prej nji randsie jo ma të vogël nga rrugët e tjera.

Me këtë rasë u shprehim kënaqësinë tonë organeve drejtuese të Ministrisë së Punëve Botore, Zyrës së Punëve Botore të Shkodrës, e cila me kaq energji dhe interesim mundi t’i çojë punimet kah qëllimi përfundimtar si dhe Autoritetet Administrative, që me nji të njajtë vullnet, u përpoqën për qitjen dhe sigurimin e puntorëve. Simpathija e jonë mirënjohëse i vete edhe puntorëve shqiptarë, qi me kaq zell dhe durim të fortë, u përpoqën për të kryemit e kësaj vepre.

Në mënyrë krejt të veçantë, drejtojmë mejtimin tonë edhe kundrejt Sovranit t’onë August qi me nji largpamësi të habitshme dhe me nji dashtni të thellë, po i shpjen fatet e Atdheut drejt përparimeve përherë e ma të lulëzueme.

Shënim: Më pas, në këtë ceremoni mbajti nji fjalim edhe Patër Gjergj Fishta.

Gazeta “Drita”, 14 tetor, 1938.