Skuadra e Pogradecit është shpallur kampione e Shqipërisë në volejboll për femra për sezonin 2025-2026, pasi triumfoi 3-0 ndaj Tiranës në finalen e pestë, duke vulosur serinë me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Ky është titulli i parë kampion në historinë e klubit pogradecar dhe një sukses që mban edhe vulën e trajnerit shkodran Besnik Lisha.
Trajneri Lisha e cilëson punën në grup dhe mbështetjen e vazhdueshme si çelësin e suksesit të këtij ekipi, ndërsa thekson se skuadra ishte ndërtuar që në fillim për të synuar triumfin pavarësisht rivalitetit të fortë me Tiranën.
“Çelësi i suksesit ishte grupi, sakrifica dhe mbështetja e vazhdueshme për volejbollin. Kjo skuadër u ndërtua për të fituar dhe vajzat treguan karakter në çdo ndeshje”, shprehet Lisha.
Lisha shprehet se pa mbështetjen e familjes, veçanërisht të bashkëshortes së tij Valbona Quku, ky sukses do të ishte më i vështirë. Ai ka rinovuar kontratën edhe për një sezon tjetër, me synimin për të vazhduar projektin fitues në Pogradec.
Ndërkohë, trajnerja dhe ish-volejbollistja e njohur Valbona Quku ndalet tek eksperienca e rikthimit nga SHBA dhe rëndësia e sjelljes së një mentaliteti të ri në stërvitje dhe edukimin sportiv.
“Sporti kërkon disiplinë, përgjegjësi dhe kulturë pune. Kemi tentuar të sjellim një frymë tjetër në mënyrën e trajningut dhe kjo ka dhënë rezultat”, thekson Valbona Quku.
Edhe pse tashmë e angazhuar në Pogradec, Valbona thotë se lidhja shpirtërore me Shkodrën dhe Vllazninë mbetet e fortë, teksa ndjek vazhdimisht ekipet shkodrane në volejboll dhe basketboll.
Familja Lisha është prej vitesh e lidhur ngushtë me volejbollin shqiptar. Besnik Lisha ka qenë një nga volejbollistët më të spikatur të Vllaznisë, ndërsa sot drejton me sukses ekipin kampion të Pogradecit. Edhe dy fëmijët e çiftit janë marrë me volejboll, ku spikat djali i tyre Gerti Lisha, ish-lojtar i kombëtares shqiptare.
Nga ana tjetër, Valbona Quku kujtohet si një prej emrave të rëndësishëm të brezit të artë të volejbollit të femrave të Vllaznisë në vitet ’80, duke lënë gjurmë në historinë e sportit shkodran.
