Katër skuadrat më të mira të “Abissnet Superiore” kanë hyrë në fazën finale të sezonit, aty ku do të përcaktohet ekipi kampion i edicionit 2025-2026. Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe Dinamo City do të përballen mes tyre në “Final 4”, me objektivin e vetëm fitimin e trofeut.

Trajneri i futbollit Ersi Çaku e sheh Vllazninë si një nga skuadrat më të favorizuara në këtë fazë vendimtare, duke vlerësuar eksperiencën dhe karakterin e lojtarëve kuqeblu. Sipas Çakut, Vllaznia ka në përbërje futbollistë që dinë të menaxhojnë presionin dhe të reagojnë në momentet më të vështira të sezonit, një element që mund të bëjë diferencën në garën për titull.

Megjithatë, ai thekson se përveç Elbasanit, në garë mbetet fort edhe Egnatia, çka e bën më të komplikuar skemën e përballjeve dhe interesave mes skuadrave pretendente.

Ndërkohë, Vllaznia do të zbresë në fushë më 16 maj në stadiumin “Air Albania Stadium”, ku në orën 19:00 do të përballet me Dinamo City në ndeshjen e parë të fazës “Final 4”, një duel që pritet me interes të madh nga tifozët kuqeblu.