Vllaznia e ka mbyllur me fitore kampionatin e rregullt të “Abissnet Superiore”, duke triumfuar 2-0 ndaj Flamurtarit në stadiumin “Loro Boriçi”. Fitorja, e kombinuar me humbjen e Elbasanit ndaj Tiranës, i rikthen kuqeblutë në vendin e parë të renditjes me 63 pikë, duke siguruar edhe shpërblimin prej 10 milionë lekësh nga Federata Shqiptare e Futbollit për kryesimin e sezonit të rregullt.
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini e nisi mirë takimin dhe gjeti avantazhin në minutën e 18-të me talentin Ara, i cili realizoi golin e parë me fanellën kuqeblu në elitën e futbollit shqiptar. Megjithatë, pavarësisht epërsisë, Vllaznia shfaqi pasiguri në repartin mbrojtës, duke i lejuar Flamurtarit të krijojë disa raste të pastra shënimi gjatë pjesës së parë.
Pjesa e dytë nisi me disa minuta vonesë për shkak të aktivizimit të sistemit të vaditjes së fushës, që u bë pengesë për rifillimin normal të lojës. Në minutën e 55-të erdhi edhe momenti më i bukur i ndeshjes, kur Murataj realizoi një supergol, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur rezultatin 2-0.
Edhe në pjesën e dytë kuqeblutë vijuan të shfaqnin luhatje në mbrojtje, por pa rrezikuar seriozisht rezultatin. Nga ana tjetër, Flamurtari, ndonëse tashmë i rënë nga kategoria, tregoi karakter dhe krijoi disa situata të rrezikshme në portën shkodrane.
Me këtë fitore, Vllaznia e mbyll kampionatin e rregullt në krye dhe tashmë bashkë me Elbasanin, Egnatian dhe Dinamo City bëhet gati për fazën “Final 4”, ku me përgjysmimin e pikëve do të përcaktohet edhe skuadra kampione e këtij sezoni në “Abissnet Superiore”.
Reagimet pas ndeshjes
Tekniku i kuqebluve Edi Martini në prononcimin e tij pas ndeshjes, pasi përgëzoi djemtë për arritjen u shpreh se ata kërkojnë përkrahje më të madhe.
Talenti shkodran Aris Ara jo vetëm i dha avantazhin Vllaznisë në pjesën e parë ndaj Flamurtarit por njëkohësisht ishte goli i parë për të në Kategorinë Superiore. Për mediat, ai u shpreh se golin ia dedikon gjyshit.
Trajneri i vlonjatëve, Andi Ribaj, u shpreh mbi të ardhmen e tij në drejtimin e Flamurtarit, të rënë një kategori më poshtë.
