Nga Qamil Gjyrezi
Në Ditën e Europës, në Tiranë u organizua një mbrëmje artistike kushtuar një prej kompozitorëve më të mëdhenj të kinemasë botërore, Ennio Morricone, nën drejtimin e djalit të tij, Maestro Andrea Morricone. Para se të bëhej një kompozitor me famë botërore, Ennio Morricone kishte studiuar për trombë në të njëjtën klasë me kompozitorin “arketipial” shqiptar, Çesk Zadeja, në konservatorin prestigjioz “Santa Cecilia”.
Profesori Vasil Tole, në librin “Çesk Zadeja”, ka shkruar për studimet e kompozitorit të madh shqiptar në instrumentin e trombës, së bashku me kompozitorin italian Ennio Morricone, në klasën e profesorit Umberto Semproni, në konservatorin “Santa Cecilia” në Romë. Kapitulli i tretë titullohet: “Shkollimi në konservatorin Santa Cecilia (1941–1943) në Romë dhe periudha deri në çlirimin e vendit”.
Tole shkruan:
“Zadeja i ri ishte studenti i Sempronit, trombës së parë të konservatorit ‘Santa Cecilia’, në të njëjtën kohë me kompozitorin e famshëm Ennio Morricone.”¹
Kompozitori Çesk Zadeja studioi aty nga viti 1941 deri në shtator të vitit 1943, periudhë kur Italia fashiste kapitulloi. Në kujtimet e tij, ai e thekson faktin e studimeve për trombë me profesor Sempronin, ashtu si edhe Ennio Morricone e ka përfshirë në të gjitha botimet për të faktin e studimeve për trombë pranë të njëjtit profesor.
Studimet në instrumentin e trombës për kompozitorin Çesk Zadeja ishin një eksperiencë dhe një “shenjë” imagjinative e simbolike që ndikoi pozitivisht në krijimtarinë e tij muzikore. Imagjinata, si proces njohës, ndihmon individin të pasurojë diapazonin e tij mendor me sekuenca imagjinare, të cilat përbëjnë një lloj “gjimnastike trunore”, që e stimulon trurin në mënyrë pozitive dhe ndikon jo vetëm në funksionimin, por edhe në strukturën e tij.
Albert Einstein, fizikani i madh gjerman, shkruante:
“Imagjinata është më e rëndësishme se njohuria.”²
Ai besonte se muzika ndihmon në zhvillimin e mendjes dhe kreativitetit. Einstein shprehej gjithashtu:
“Muzika ndihmon në zhvillimin e imagjinatës dhe krijimtarisë.”³
Studiues të ndryshëm kanë arritur në përfundimin se muzika stimulon drejtpërdrejt imagjinatën, duke evokuar shpesh “imazhe të gjalla”, simbolika, kujtime personale apo histori narrative te mbi 70% e dëgjuesve.
Në këtë kontekst, instrumenti i trombës tek Çesk Zadeja nuk duhet parë vetëm si një instrument teknik orkestral, por si një shenjë imagjinative dhe simbolike. Fakti që Zadeja ishte student i Sempronit në Akademinë Kombëtare “Santa Cecilia”, në një ambient ku studionte edhe Ennio Morricone, nuk është thjesht pjesë e biografisë së tij. Ai ishte në kontakt me kulturën italiane të instrumenteve të frymës, bandave muzikore, orkestrës simfonike dhe sidomos me tingullin e trombës, që duket se ka lënë gjurmë në imagjinatën e tij muzikore.
Semiotikisht, tromba mbart disa shtresa kuptimore.
Ajo është instrument i thirrjes, i alarmit, instrument heroik, por edhe instrument i distancës dhe kujtesës. Tromba nuk “flet” me publikun nga afër; tingulli i saj vjen sikur nga një hapësirë tjetër. Ajo ka gjithmonë diçka ceremoniale në timbrin e saj.
Në traditën europiane, nga Gustav Mahler te Stravinsky apo Shostakovich, tromba shpesh simbolizon pushtetin, fatin, historinë, luftën ose një “vetëdije tragjike”.
Në këtë kontekst, tek kompozitori Çesk Zadeja ndodh një fenomen interesant. Ai nuk e përdor frymën orkestrale vetëm si dekor në krijimtarinë e tij. Në muzikën e Zadejës ndihet shpesh tensioni dramatik, ngritja heroike, impulsi epik, ritmi i brendshëm “ushtarak” dhe një lloj vertikaliteti monumental muzikor.
Vertikaliteti muzikor i referohet strukturës harmonike dhe akordale të muzikës, duke theksuar grumbullimin e njëkohshëm të notave në një moment të caktuar kohor, në vend të progresionit horizontal të tyre. Ai përqendrohet te harmonia, struktura dhe “tingëllimi së bashku” i elementeve vertikale si akordet apo poliritmet. Këto janë elemente që lidhen natyrshëm me imagjinatën e trombës.
Madje do të shkruaja diçka pak më poetike: tek Zadeja, tromba duket sikur nuk është gjithmonë instrument konkret, por një “arketip tingëllor”, një mënyrë mendimi.
Kompozitorët shpesh ndikohen jo vetëm nga instrumenti që luajnë, por edhe nga “psikologjia akustike”⁴ e tij. Piano krijon mendim harmonik. Violina krijon mendim linear dhe melodik. Ndërsa tromba krijon mendim deklarativ. Tromba gjithmonë “shpall” një ngjarje apo fenomen; ajo nuk “përshpërit”.
Dhe në disa kulme orkestrale të Zadejës ndihet pikërisht ky fenomen muzikor: një muzikë që kërkon të artikulojë identitet, forcë dhe histori kolektive.
Kjo lidhet edhe me kohën historike. Vitet 1941–1943 në Romë ishin vite tensioni europian, propagande, marshesh, bandash frymore, muzike ceremoniale fashiste, por edhe modernizmi orkestral italian. Edhe pa e kuptuar, veshi i një studenti të ri formohej nga këto “kode akustike”.
Prandaj mendoj se tromba ka ndikuar tek Zadeja jo domosdoshmërisht si “teknikë trombe”, por si simbol force, simbol thirrjeje, energji dramatike dhe si model i një muzike që del në “hapësirë” me autoritet.
Dhe tani po bëj pak humor me veten, sepse tromba është ndoshta instrumenti më pak modest në histori. Këtë e kam lexuar edhe nga një psikolog arti që ka luajtur në trombë. Edhe kur tromba luan pianissimo, duket sikur thotë: “Megjithatë… jam këtu.”
Si përfundim, po citoj Charles Schlueter, ish-tromba e parë e Orkestrës Simfonike të Bostonit, sot në pension:
“Të luash trombë është e vështirë sepse është shumë e lehtë.”
Referenca:
- Vasil Tole, Çesk Zadeja, 2022
- Goodreads, Albert Einstein: “Imagination is more important than knowledge”, 2002
- Albert Einstein – Wikipedia, 2022
- Psikologjia akustike ose psikoakustika studion mënyrën se si sistemi dëgjimor i njeriut e percepton tingullin dhe si ndikon ai në emocione, sjellje dhe shëndet mendor (Wikipedia, 2020).
