Për dy ditë me radhë, qyteti i Shkodrës u kthye në epiqendrën e motorëve dhe muzikës rock, duke mirëpritur qindra motoristë dhe vizitorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. “Moto Fest” solli një atmosferë festive në kryeqendrën e veriut, me parada motorësh, muzikë live dhe aktivitete të shumta që tërhoqën vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve.

Vizitorët e huaj u shprehën të impresionuar nga mikpritja, bukuritë dhe gastronomia që ofron Shkodra.

“Shumë bukur. Më vjen keq vetëm se nuk kam motorin tim, por do ta sjell së shpejti në Shqipëri. Shkodra është shumë e bukur, më pëlqen shumë, ushqimi shumë i mirë dhe është një qytet i bukur”, shprehet një vizitore nga Italia.

Kulmi i aktivitetit ishte parada e madhe e motorëve, ku morën pjesë mbi 500 motoristë, në një nga organizimet më të mëdha të këtij lloji të zhvilluara ndonjëherë në rrugët e Shkodrës. Në krye të paradës ishte kryebashkiaku Benet Beci, i cili iu bashkua komunitetit të motoristëve në këtë festë të veçantë.

Atmosfera e krijuar gjatë “Moto Fest”, event i mbështetur nga Bashkia Shkodër, e shndërroi qytetin në një pikëtakim të rëndësishëm për komunitetin e motoristëve dhe njëkohësisht promovoi Shkodrën si një destinacion të rëndësishëm për evente dhe turizëm.