Shkodra u pushtua nga zhurma e motorëve dhe ritmet rock në natën e parë të “Moto Fest Shkodra 2026”, aktiviteti që mblodhi qindra motoristë dhe vizitorë nga vende të ndryshme në zemër të qytetit. Atmosfera festive elektrizoi sheshin kryesor, ku muzika live, paradat e motorëve dhe performancat energjike krijuan një spektakël që zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes.

Të apasionuar pas kulturës moto nga Shqipëria dhe jashtë saj zgjodhën Shkodrën për t’u bërë pjesë e festivalit, duke e kthyer qytetin në një pikëtakim të rëndësishëm të komunitetit të motoristëve dhe adhuruesve të rock-ut.

Koncertet live ndezën atmosferën e natës së parë, ndërsa performancat në skenë sollën ritme plot energji dhe adrenalinë për publikun e pranishëm.

“Moto Fest Shkodra”, i mbështetur nga Bashkia Shkodër, do të vijojë edhe në dy ditët e ardhshme me parada motorësh, moto show dhe koncerte live, aktivitete që pritet të tërheqin edhe më shumë vizitorë në qytetin e Shkodrës.