Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka përkujtuar këtë 9 maj 10-vjetorin e inaugurimit të tij, një datë që përkon edhe me Ditën e Europës dhe ditëlindjen e Gegë Marubit, fotografit të fundit të dinastisë së njohur shkodrane. Në reagimin e publikuar, institucioni e cilëson këtë dekadë si një rrugëtim ku fotografia është trajtuar jo vetëm si kujtesë historike, por edhe si një formë reflektimi mbi shoqërinë.
Gjatë këtyre dhjetë viteve, Muzeu “Marubi” është kthyer në një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend, duke organizuar rreth 40 ekspozita, mbi 60 biseda, konferenca e ture, si dhe afro 200 punëtori dhe masterklasa edukimi. Paralelisht, është punuar edhe për pasurimin dhe konservimin e arkivës fotografike, e cila sot numëron afro 542 mijë fotografi, me rreth 80% të fondit të konservuar.
Muzeu ka arritur gjithashtu të afirmohet në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2017 u përzgjodh në listën e ngushtë për çmimin “European Museum of the Year Award”, ndërsa në vitin 2025 arkivi i tij u regjistrua në programin “Memory of the World” të UNESCO-s.
Në kuadër të 10-vjetorit, Muzeu “Marubi” do të sjellë në Shkodër një ekspozitë të veçantë kushtuar fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili, ku për herë të parë do të prezantohet koleksioni i tij origjinal nga New York-u.
