Terapia muzikore po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në botë si një mënyrë mbështetëse për pacientët që vuajnë nga sëmundje neurologjike si Parkinsoni, demenca dhe Alzheimeri. Përmes ritmit dhe melodisë, muzika ndikon në gjendjen emocionale, kujtesën dhe komunikimin e pacientëve.
Muzikologu Qamil Gjyrezi thotë se në vendin tonë duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi zhvillimit të terapisë muzikore, duke e konsideruar atë një nevojë në trajtimin dhe rehabilitimin e pacientëve.
Gjyrezi, autor i studimit mbi muzikologjinë psikoanalitike, ku trajtohet edhe ndikimi i terapisë muzikore, shpreh dëshirën që kjo fushë të përfshihet në të ardhmen edhe si pjesë e kurrikulave universitare.
Sipas specialistëve, terapia muzikore nuk zëvendëson trajtimin mjekësor, por mund të ndihmojë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies emocionale të pacientëve.
