Vllaznia mund ta mbyllë kampionatin e rregullt në vendin e parë, por sërish të hyjë si e dyta në “Final Four”. Ky është skenari interesant që mund të prodhojë java e fundit e “Abissnet Superiore”, e cila luhet më 10 maj.

Abissnet Superiore ka hyrë në fazën më vendimtare të sezonit, ndërsa Elbasani ka siguruar tashmë matematikisht vendin e parë për nisjen e “Final Four”. Megjithatë, llogaritë mbeten të hapura për renditjen përfundimtare të kampionatit të rregullt.

Nëse Elbasani mposhtet nga Tirana dhe njëkohësisht Vllaznia fiton ndaj Flamurtari, atëherë kuqeblutë do ta mbyllnin kampionatin me 63 pikë, një më shumë se verdheblutë që do të mbeteshin në kuotën e 62 pikëve.

Por edhe pse me më shumë pikë në renditjen finale të 36 javëve, Vllaznia do ta nisë “Final Four” nga vendi i dytë. Arsyeja lidhet me përgjysmimin e pikëve dhe faktin që Elbasani do të favorizohej nga ndeshjet direkte mes dy skuadrave.

Me këtë formulë, të dy ekipet do të hynin në fazën finale me nga 31 pikë, por skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç do të renditej mbi ekipin e Edi Martini.

Në këtë mënyrë, vendi i parë në kampionatin e rregullt për Vllazninë do të kishte vlerë vetëm për kalendarin e “Final Four”, pasi axhenda e ndeshjeve përcaktohet sipas renditjes përfundimtare të 36 javëve të sezonit.