Vllaznia do të përballet këtë të diel në stadiumin “Loro Boriçi” me skuadrën e Flamurtarit, në sfidën e vlefshme për javën e fundit të kampionatit të rregullt të “Abissnet Superiore”. Një ndeshje me shumë rëndësi për kuqeblutë, të cilët synojnë ta mbyllin me rezultat pozitiv këtë fazë të sezonit para nisjes së “Final 4”.

Analisti sportiv Fatmir Lugji shprehet se skuadra shkodrane po kalon një moment delikat në aspektin psikologjik, gjë që sipas tij po ndikon edhe në paraqitjet në fushën e lojës.

Megjithatë, ai thekson se optimizmi për fitimin e titullit kampion vijon të ekzistojë, pasi sipas tij Vllaznia ka ende potencialin dhe cilësinë për të reaguar në momentin më vendimtar të sezonit.

Java e 36-të shënon përfundimin e kampionatit të rregullt, ndërsa më pas ekipet do të përqendrohen te faza “Final 4”, e cila do të vendosë edhe skuadrën kampione të këtij sezoni në “Abissnet Superiore”.