“Të qëndrosh human (njerëzor) në kohën e inteligjencave artificiale” ishte konferenca shkencore në Seminarin Ndërdioqezan “Nëna e Këshillit të Mirë” që bëri bashkë studiues, pedagogë dhe të rinj për të diskutuar mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në jetën e përditshme dhe sfidat që ajo sjell për shoqërinë moderne.
I ftuari kryesor, Fabio Pasqualetti, docent i teorive sociale të komunikimit dhe dekan në Universitetin Papnor Salezian në Romë, thekson se Inteligjenca Artificiale është një instrument shumë i dobishëm, por paralajmëron për rrezikun e keqpërdorimit të saj, sidomos tek të rinjtë. Sipas tij, është e rëndësishme që njeriu të krijojë një raport të shëndetshëm me teknologjinë, pa u bërë “skllav” i saj dhe pa humbur rolin e pazëvendësueshëm të inteligjencës humane.
“Qëllimi kryesor është të flasim mbi mënyrën e funksionimit të Inteligjencës Artificiale dhe si ajo implementohet në panoramën e përditshme të njeriut. Inteligjenca Artificiale është një instrument shumë i dobishëm por ajo çfarë po vëmë re është keqpërdorimi i saj. Për ne është tepër e rëndësishme të vendosim një marrëdhënie që nuk na bën skllevër të saj dhe mbi të gjitha tek moshat e reja ku ka një përdorim më të madh. Ne shpresojmë se ky studim do të vlejë për të kuptuar më mirë rolin e pazëvendësueshëm që ka inteligjenca humane”, thekson Fabio Pasqualetti.
Ndërkohë, Rektori i Seminarit Ndërdioqezan, Dom Mark Shtjefni, ndalet tek nevoja për përdorimin në masën e duhur të Inteligjencës Artificiale, duke vënë theksin tek përgjegjshmëria në përdorimin e teknologjisë.
Konferenca u shoqërua me diskutime që u fokusuan tek përdorimi gjithnjë e më i madh i Inteligjencës Artificiale në komunikim, arsim dhe rrjetet sociale.
