Ekipi i Bankës Botërore në Shqipëri zhvilloi një vizitë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku u organizua një bashkëbisedim me studentët dhe stafin akademik në auditorin A1 të Fakultetit Ekonomik.

Delegacioni i Bankës Botërore përbëhej nga Massimiliano Paolucci, Menaxher i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri, i cili prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Në fokus të diskutimeve ishin performanca ekonomike e Shqipërisë, tregu i punës, inflacioni dhe zhvillimet në sektorin financiar.

Gjatë fjalës së tij, Paolucci u shpreh se raporti, i cili publikohet çdo gjashtë muaj, ofron një panoramë të situatës ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar jo vetëm sfidat dhe burimet e tensioneve ekonomike, por edhe mundësitë për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe të balancuar.

“Ky është një raport që ne e përgatisim çdo gjashtë muaj dhe ai jep një përshkrim të situatës ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve specifike të rajonit. Gjithashtu tregon se ku po shkon ekonomia, cilat janë burimet e stresit dhe tensioneve, por edhe cilat janë mundësitë që ekonomitë të rriten më tej dhe në një mënyrë më të balancuar. Pra, mundësia për studentët është në thelb që të dëgjojnë drejtpërdrejt përshkrimin dhe analizën e ekonomistëve tanë dhe ta zbatojnë këtë, shpresojmë, në studimet e tyre të përditshme”, u shpreh Paolucci për mediat.

Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet kapitalit njerëzor dhe vështirësive që hasin të rinjtë në kalimin nga arsimi në tregun e punës. Sipas të dhënave të raportit, në rajon vazhdon të ekzistojë paradoksi ku bizneset raportojnë mungesë të fuqisë punëtore në sektorë kyç, ndërsa shumë të rinj mbeten të papunë ose punojnë në profesione që nuk përputhen me aftësitë dhe diplomimin e tyre.

Raporti evidenton se papunësia e të rinjve mbetet e lartë në gjithë rajonin, ndërsa një pjesë e madhe e të diplomuarve e nisin karrierën në pozicione nën nivelin e kualifikimit. Po ashtu, emigrimi po shihet gjithnjë e më shumë si alternativë ndaj punësimit në vend.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore theksuan se sfida nuk lidhet me mungesën e arsimit, por me lidhjen mes universiteteve dhe tregut të punës. Në këtë drejtim, raporti rekomandon më shumë praktika profesionale, bashkëpunime me bizneset, orientim drejt karrierës dhe zhvillimin e aftësive teknike, digjitale dhe analitike që kërkon tregu aktual.

Në diskutim u përmend edhe Shkodra, ku sipas raportit potenciali i të rinjve dhe talenti janë të dukshëm, por ekonomia lokale ende nuk arrin t’i përthithë plotësisht këto kapacitete. Për këtë arsye, u vu theksi tek nevoja për zhvillimin e sektorëve si turizmi, agrobiznesi, ekonomia e gjelbër dhe puna digjitale, me synimin që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.

Takimi ngjalli interes të madh nga studentët dhe stafi akademik, duke krijuar një hapësirë të vlefshme diskutimi mbi sfidat ekonomike, punësimin dhe perspektivat e të rinjve në tregun e punës.

Fjala përshëndetëse e Menaxherit të Zyrës së Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri, Massimiliano Paolucci

Mirëdita dhe ju faleminderit që na mirëpritët në Universitetin e Shkodrës.

Është një kënaqësi e veçantë të jemi sot këtu me studentët dhe qarqet akademike në një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Shqipëri. Universitete si i juaji janë në zemër të çështjes që duam të trajtojmë: si arsimi shndërrohet në punësim, mundësi dhe përparim ekonomik.

Ky diskutim merr rëndësi të veçantë në universitetin që mban emrin e Luigj Gurakuqit, burrë shteti nga Shkodra, dijetar, i cili besonte se arsimi duhet t’i përgatisë njerëzit jo vetëm të mësojnë, por edhe të marrin pjesë e të kontribuojnë plotësisht në shoqëri dhe në ekonomi.

Dua të filloj me vetë raportin.

Raporti i Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Pranverë 2026, fokusohet në një sfidë shumë të njohur për shumë prej jush në këtë sallë: punësimi dhe, më konkretisht, se sa mirë po i shfrytëzojnë ekonomitë tona talentet që kanë.

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, vihet re një paradoks. Nga njëra anë, punëdhënësit raportojnë mungesë të fuqisë punëtore në sektorë kyç të ekonomisë dhe nga ana tjetër, shumë njerëz veçanërisht të rinjtë dhe gratë janë të papunë, joaktivë, ose punojnë në vende pune që nuk përputhen me arsimin apo aftësitë e tyre.

Ky paradoks nuk lidhet me mungesën e arsimit. Ai ka të bëjë me kalimin nga arsimi në tregun e punës.

Raporti tregon se:

• Papunësia e të rinjve mbetet e lartë në të gjithë rajonin

• Shumë të diplomuar e nisin jetën e tyre profesionale në vende pune nën nivelin e kualifikimit të tyre

• Dhe shumë të rinj e shohin emigrimin, si alternativë më të mirë se punësimi në vendin e tyre

Këto sfida janë shpesh edhe më të theksuara jashtë kryeqendrave. Në rajone si veriu i Shqipërisë apo Shkodra, talentet janë qartazi të pranishme por ekonomia vendore jo gjithmonë arrin ta përthithë këtë talent.

Pikërisht për këtë, kapitali njerëzor është temë qendrore e raportit të këtij viti.

Raporti vlerëson se, nëse shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore në të gjithë rajonin do të ishte e njëjtë me atë të vendeve të ngjashme në Bashkimin Evropian, kjo do të rezultonte në më shumë se 2.8 milionë punëtorë shtesë, që do të kontribuonin në ekonomi, shumë prej tyre të rinj dhe me arsim të mirë. Vetëm përfshirja e grave në tregun e punës do të mund të sillte një ndikim domethënës në rritjen ekonomike, duke përmirësuar njëkohësisht edhe mirëqenien e familjeve.

Por çfarë do të thotë e gjithë kjo për universitetin dhe për studentët?

Raporti evidenton tre fusha ku ndryshimi ka vërtet rëndësi.

Së pari, arsimi duhet të lidhet më drejtpërdrejt me punësimin. Kjo nuk ka të bëjë me uljen e rigorozitetit akademik. Ka të bëjë me faktin që aftësitë dhe njohuritë e përfituara në universitet, teknike, digjitale, analitike dhe sociale të përputhen me kërkesat reale që ka tregu i punës sot.

Së dyti, kalimi nga studimi në punë duhet të bëhet më i lehtë. Praktikat profesionale, kërkimi i aplikuar, bashkëpunimet me bizneset vendore dhe shërbimet e orientimit drejt karrierës nuk janë elemente shtesë. Ato janë thelbësore. Universitetet nuk janë vetëm vende të dijes ato janë ura lidhëse me tregun e punës.

Së treti, mundësitë duhet të ekzistojnë edhe përtej qyteteve të mëdha. Për vende si Shkodra, sfida nuk është vetëm të arsimohen të rinjtë, por të ndërtohen ekosisteme lokale në turizëm, agrobiznes, shërbime, ekonomi të gjelbër dhe punë digjitale që t’u mundësojnë të diplomuarve të qëndrojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu.

Trendet demografike e bëjnë këtë çështje veçanërisht të rëndësishme. Çdo i diplomuar që nuk arrin të gjejë punë në zonën ku jeton, është një mundësi e humbur për vendin.

Por mesazhi i këtij raporti nuk është pesimist. Ai është praktik dhe i orientuar drejt së ardhmes.

Shqipëria ka talente. Universitete si ky i Shkodrës po e formon këtë talent. Pyetja që shtrojmë sot është nëse institucionet tona, politikat që ndërmarrim dhe tregu i punës po ecin me ritmin e duhur për ta vënë këtë talent në shërbim të zhvillimit të vendit.

Ftoj kolegët të prezantojnë gjetjet kryesore të raportit, dhe më pas presim të dëgjojmë mendimet dhe pyetjet tuaja.

Ju faleminderit.