Një leksion i hapur mbi kujtesën historike dhe identitetin kombëtar u zhvillua në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, organizuar nga Departamenti i Historisë dhe Klubi Studentor “Mozaik”, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
E ftuar në këtë aktivitet ishte studiuesja Dorina Daiu, e cila mbajti leksionin me temë “Krijuesit e identitetit kombëtar përballë harresës dhe persekutimit”. Gjatë bashkëbisedimit me studentët, u trajtuan figura të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare dhe të Shpalljes së Pavarësisë, si dhe mënyra se si ato u trajtuan gjatë regjimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore.
Aktiviteti u ndoq me interes nga studentët, të cilët u përfshinë në diskutime dhe reflektime mbi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
