Tirana ka fituar klasiken e futbollit shqiptar ndaj Vllaznisë me rezultatin 1-0 në “Selman Stërmasi”, duke marrë tre pikë shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë, ndërsa kuqeblutë regjistrojnë humbjen e tretë radhazi në kampionat.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e bardhebluve falë golit të Rafës në minutën e 15-të nga pika e bardhë. Tirana gjeti edhe golin e dytë në minutën e 36-të me Tabekun, por realizimi u anulua për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, Vllaznia u shfaq më kërkuese dhe më këmbëngulëse në kërkim të barazimit, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Atmosfera në tribunat e “Selman Stërmasit” u shoqërua gjatë gjithë takimit me kore ofenduese nga tifozëria vendase.
Situata u vështirësua edhe më shumë për shkodranët në minutën e 84-t, kur Esat Mala u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Vllazninë me 10 lojtarë në minutat e fundit të sfidës. Ndërsa në minutën e 90-t Bajrami e la skuadrën me 9 lojtarë.
Pavarësisht humbjes, gara për titull mbetet e hapur për kuqeblutë, pasi edhe Elbasani kryesues u mposht 2-1 në Ballsh përballë Bylisit. Aktualisht, Vllaznia vijon të jetë dy pikë larg vendit të parë, ndërsa Tirana afrohet gjithnjë e më shumë me sigurimin e mbijetesës në elitë.
