Në prag të sezonit turistik veror, Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve, institucioneve dhe operatorëve turistikë në Velipojë, ku u diskutuan problematikat kryesore dhe masat konkrete për një sezon sa më të organizuar dhe funksional.
Gjatë takimit, kryebashkiaku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjitha palëve për të garantuar pastërti, rend dhe kushte më të mira për pushuesit dhe turistët që zgjedhin Velipojën gjatë verës.
Në fokus të diskutimeve ishte menaxhimi i mbetjeve urbane, ku u vendos që depozitimi i tyre të kryhet vetëm në fashën orare nga ora 21:00 e mbrëmjes deri në 07:00 të mëngjesit, me qëllim shmangien e ndotjes në zonën e plazhit dhe ruajtjen e imazhit turistik të Velipojës.
Nga ana tjetër, Benet Beci u shpreh i prerë se nuk do të ketë asnjë tolerim për zaptimin e hapësirave publike në plazh, duke kërkuar respektim të rregullave dhe garantim të aksesit për pushuesit.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe përmirësimi i sinjalistikës rrugore, ndriçimit publik, qarkullimit në qendër të Velipojës dhe krijimi i stacioneve më funksionale për autobusët. Gjithashtu, u trajtuan edhe problematikat e furnizimit me ujë dhe energji elektrike gjatë muajve të verës, ndërsa institucionet përgjegjëse garantuan ndërhyrje dhe përmirësime për sezonin turistik të këtij viti.
Mesazhi kryesor i këtij takimi ishte bashkëpunimi mes institucioneve dhe bizneseve për ta bërë Velipojën më të pastër, më të organizuar dhe më mikpritëse për qytetarët dhe turistët.
