Një status i studiuesit shkodran Ardian Ndreca ka ngritur alarmin mbi gjendjen e platformave digjitale të institucioneve kulturore në Shkodër. Sipas tij, prej sulmit kibernetik të korrikut 2022, faqja e Muzeumit Kombëtar të Fotografisë “Marubi” nuk funksionon plotësisht, duke mos reflektuar arkivin e pasur me mijëra fotografi historike.
Ndreca thekson se prej muajsh jashtë funksionit janë edhe faqet online të Bibliotekës “Marin Barleti”, Muzeut Historik të Shkodrës, Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës, si dhe Galerisë së Arteve. Ai lidh këtë situatë me fikjen e serverave pas sulmit kibernetik dhe mungesën e investimeve për rikthimin e tyre në punë.
Statusi i plotë i studiuesit Ardian Ndreca
Djepit të kulturës i janë thye partallat. Në Shkodër ka vite që siti internet i Muzeumit Kombëtar të Fotografisë Marubi punon vetëm si vetrinë aktivitetesh, pa ngarkue në të dhjeta mija fotot e koleksionit historik të dinastisë Marubi. Arsyeja: sulmi kibernetik iranian i korrikut 2022, kur për arsye (pa)sigurije në Tiranë janë fikë serverat – të cilët tue qenë tepër obsolet nuk ndezen ma.
Prej nandorit të kaluem nuk janë aktive as faqet internet të Bibliotekës Marin Barleti (bibliotekashkoder.com), Muzeumit Historik (muzeuhistorikshkoder.org), Muzeumit të Dëshmisë dhe Kujtesës dhe faqja e Galerisë së Arteve (gashkoder.com).
Nji qytet në kolaps total, me nji kryetar bashkije të pandehun që rrezikon me përfundue në burg, me drejtues të kulturës, muzikës, librit (të huazuem prej jashtë, pse Shkodra ka vdekë) që kanë si diapazon atë çelësin e hekurt në hymje të qytetit.
Hepërhe i vetmi që funksionon asht siti i Bibliotekës së Universitetit. Por meqë edhe aty kanë zgjedhë si administrator ish drejtuesin e ujësjellësit, ka shumë mundësi që punët të shkojnë ujë.
Ajo që më çudit asht si ka mundësi që askush nuk e çon zanin, opozita, mediat, gazetarët e kulturës, këshilli bashkiak, intelektualët, lexuesit e apasionuem, studiuesit…
Katër prej siteve të masipërme (përjashto Marubin) ia ka kujdesue hostimin për vite nji i ri i apasionuem që quhet Suad Barbullushi. Gjithçka asht bllokue për moskujdes nga ana e drejtuesve të institucioneve dhe të vetë bashkisë, në ndonji rast bahet fjalë për tarifa qesharake, siç dihet mbas nji kohe që quhet “grace period” përmbajtja nuk mund të rekuperohet ma.
Kanë minue të kaluemen e nji qendre urbane të cilën po e dënojnë mos me pasë të ardhme si qytet.
