Forma jo e mirë që po kalon Vllaznia në këtë pikë të sezonit duket se lidhet jo vetëm me mungesat në organikë, por edhe me presionin e madh për të fituar titullin kampion. Rezultatet e fundit kanë vënë në pikëpyetje stabilitetin e skuadrës, në një moment vendimtar të kampionatit.

Për specialistin e sportit, Mhill Shkëmbi, mungesat kanë pasur ndikimin e tyre në rënien e formës së kuqebluve. Ndërkohë, ish-kapiteni i Vllaznisë, Amarildo Belisha, thekson se aspekti psikologjik dhe presioni për rezultat kanë rol në paraqitjet e skuadrës.

Në këto kushte, kuqeblutë do të kërkojnë reagim në sfidën e radhës, ku përballë do të kenë Tiranën, një ekip që lufton për mbijetesë dhe që pritet të jetë maksimalisht i motivuar.

Ndeshja mes Tiranës dhe Vllaznisë do të luhet të mërkurën në stadiumin “Selman Stërmasi”, në orën 16:00, në një përballje që pritet të ketë peshë të madhe për objektivat e të dyja skuadrave.