Një reagim publik ka ardhur nga organizata për mbrojtjen e kafshëve “Animals Need Me”, pas publikimit të disa pamjeve nga emisioni “Ferma VIP”, ku ngrihen shqetësime për mënyrën e trajtimit të kafshëve. Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, organizata thekson se raste të tilla nuk janë të izoluara dhe kërkojnë vëmendje të shtuar.
Sipas tyre, mirëqenia e kafshëve në Shqipëri mbetet një sfidë, ndërsa sugjerohet që programe me audiencë të lartë të përfshijnë ekspertë për të orientuar pjesëmarrësit dhe publikun mbi praktikat e duhura të kujdesit.
Organizata nënvizon se kafshët kërkojnë kushte të përshtatshme, përkujdesje të vazhdueshme dhe trajtim dinjitoz, duke apeluar që ndikimi i mediave të përdoret për të promovuar standarde më të larta dhe ndjeshmëri më të madhe ndaj tyre.
Reagime të shumta kanë ardhur edhe nga qytetarët në rrjete sociale, të cilët dënojnë çdo formë keqtrajtimi dhe kërkojnë reflektim nga produksioni i programit.
Reagimi i plotë
📢 Reagim për @fermavip.al ‼️
Kemi vërejtur disa situata ku përkujdesja ndaj kafshëve mund të përmirësohet. Duke qenë se kjo çështje është shfaqur më shumë se një herë, besojmë se meriton vëmendje të shtuar.
ℹ️ Në një vend si Shqipëria, ku mirëqenia e kafshëve ka ende sfida, do të ishte shumë e dobishme që programe të tilla të përfshinin ekspertë, për të informuar si pjesëmarrësit ashtu edhe publikun mbi praktikat e duhura të përkujdesjes.
➡️ Kafshët kërkojnë kushte të përshtatshme, kujdes të vazhdueshëm dhe trajtim dinjitoz.
Kur një program ka kaq shumë vëmendje, ai ka edhe ndikim. Shpresojmë të shohim këtë potencial të shfrytëzuar për mirë @fermavip.al
