Ndriçimi i monumenteve të kulturës mbetet një nga elementët kyç për promovimin e trashëgimisë dhe zhvillimin e turizmit në veri të vendit. Aktualisht, një pjesë e këtyre monumenteve janë të ndriçuara, duke u dhënë një dimension të ri estetik dhe funksional gjatë orëve të natës. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, e cila mbulon katër qarqet e veriut Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër po punon për evidentimin dhe mirëmbajtjen e këtyre objekteve me vlera historike.
Sipas drejtorit Helidon Sokoli, ndriçim kanë kryesisht monumentet më të frekuentuara, si kalatë dhe urat, ndër to Kalaja e Shkodrës, Kalaja e Lezhës dhe Ura e Mesit. Megjithatë, zgjerimi i kësaj harte mbetet një sfidë e madhe për institucionet përgjegjëse, për shkak të kostove të larta që kërkon instalimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të ndriçimit.
Drejtori Sokoli thekson se për të rritur numrin e monumenteve të ndriçuara, nevojitet mbështetje më e madhe financiare dhe investime të qëndrueshme në këtë drejtim. Ndriçimi i monumenteve jo vetëm rrit sigurinë dhe aksesin për vizitorët, por shërben edhe si një mjet i rëndësishëm për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e turizmit në rajon.
