Vllaznia vijon përgatitjet për sfidën ndaj Bylisit, në një moment jo të lehtë për skuadrën kuqeblu. Në konferencën për mediat, mbrojtësi Erdenis Gurishta pranoi se ekipi është ndikuar psikologjikisht nga rezultatet e fundit.
Ai theksoi se eliminimi nga Kupa e Shqipërisë nga Dinamo dhe humbja e kreut në transfertën e Elbasanit kanë lënë gjurmë në skuadër, por pavarësisht kësaj, gara për titull mbetet e hapur dhe Vllaznia nuk mendon të dorëzohet. Në prag të përballjes me Bylisin, Gurishta paralajmëroi se ndeshja nuk duhet marrë lehtë, pavarësisht diferencave në renditje.
Mbrojtësi kuqeblu vuri theksin edhe te roli i tifozërisë, duke e cilësuar atë si një faktor kyç për ekipin në këtë fazë të sezonit. “Tifozëria është zemra e ekipit,” theksoi Gurishta.
Në një moment delikat të sezonit, Vllaznia synon rikthimin te fitorja për të qëndruar në garë për titullin, ndërsa përballja me Bylisin mbetet një provë e rëndësishme për reagimin e skuadrës.
